Edhe pse një formë pasive investimi, blerja e pasurive të paluajtshme në tregun e Tiranës është një nga format më të sigurta të investimit. Qyteti i Tiranës është qendër jo vetëm e Shqipërisë, por e të gjithë trevave shqipfolëse. Thuajse një e treta e gjithë popullsisë së vendit është e përqendruar në kryeqytet, po ashtu edhe ekonomia. Përpos kësaj si qendër universitare, Tirana ka një fluks të vazhdueshëm të banorëve të rinj. Duke qenë se kërkesa është e pashtershme, si nga biznesi për zyra, ashtu edhe nga individët, po rritet numri i investitorëve që blejnë për të rihedhur në tregun e qirave. Rritja e kërkesës për shtëpi është konfirmuar nga të gjithë aktorët e tregut, si dhe është reflektuar edhe nga çmimet e banesave, të cilat në zona të caktuara kanë shënuar rritje deri në 20%.
Këshilla e parë: Vendndodhja
Sekreti është vendndodhja. Mos blini një shtëpi në lagje problematike, ku lëvizja natën është e rrezikshme. Një vendndodhje e mirë përcaktohet në përgjithësi nga një lagje e dëshirueshme, me shkolla të mira pranë, ka pranë institucione apo njësi biznesi, të cilat japin siguri për zonën. Nëse blini një shtëpi në zonë shumë të zhurmshme, në kryqëzime ku trafiku i rënduar prish cilësinë e ajrit dhe shton ndotjen akustike, vlera do të jetë në rënie. Prandaj agjencitë e pasurive të paluajtshme nuk këshillojnë asnjëherë blerjet e shtëpive në vijën e parë të rrugëve kryesore. Kryesisht, individët preferojnë shtëpi me distancë të shkurtër nga vendi i punës dhe me akses të shpejtë në transportin publik. Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, arsyeja kryesore që preferohen shtëpitë brenda Unazës është qasja e shpejtë në linjat e transportit publik.
Këshilla e dytë: Më mirë pak dhe saktë
Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, shtëpitë me sipërfaqe më të mëdha janë më të vështira për t’u lënë me qira se sa shtëpitë me një sipërfaqe më të vogël. Konfigurimi i shtëpive 3+1, ka pasur një rënie të çmimit të qirave. E kundërta ka ndodhur me sipërfaqet më të vogla.
Sipërfaqet e mëdha të shtëpive kërkojnë ose familje të mëdha, të cilat kostot e jetesës i kanë më të larta dhe mendojnë për zgjedhje më ekonomike, ose nga studentë të cilët ndajnë qiranë duke u bërë bashkë. Këta të fundit nuk parapëlqehen shumë nga pronarët e shtëpive duke qenë se janë më të prirë për të mos qenë të qëndrueshëm, si dhe më pak të kujdesshëm ndaj shtëpive. Pronarëve iu rriten kostot e mirëmbajtës me studentë. Një tjetër zgjidhje praktike që japin agjentët e pasurive të paluajtshme në rastet e sipërfaqeve 3+1 është ndarja më praktike dhe maksimizimi i të ardhurave nga qiraja. Në rastet e 3+1, ata gjithmonë këshillojnë konfigurimin në dy apartamente 2+1 dhe 1+1, të cilët lihen më lehtë dhe mund të merren qira më të larta.